+355 54 254 516e Hene - e Premte 08:00 -16:00

Histori që Frymëzojnë Nr.3

Histori që Frymëzojnë Nr.3

Intervista Final_Miranda Kamami Rabja

Sot në  rubrikën Histori që Frymëzojnë do ndajmë  rrëfimin e Miranda Kamami Rabja, një Inspektore e  Policisë  së Rendit e cila na tregon për jetën, sfidat dhe arritjet në një profesion që merr shumë prej saj…

Kjo është historia e saj. #pafiltër

1.A mund të na bëni një prezantim të shkurtër të vetes? Mosha, profesioni, familja?

Përshëndetje! Më lejoni t’ju falenderoj për ftesen dhe për konsideratën! Emri im është Miranda Kamami Rabja, jam 30 vjeç, Inspektore e Policisë së Rendit. Jam e martuar dhe kam një djalë 2 vjeç. Pra jemi një familje e vogël, bërthamë prej 3 anëtarësh. Unë, im shoq dhe djali jonë.

  1. Sa vite keni që punoni si Inspektore Rendi? A ju pëlqen puna që bëni?

Kam gati 5 vite që punoj në Policinë e Shtetit. Më pëlqen sigurisht, nga 1 në 10 i jap notën 8. Nuk i jap pikët maksimale për faktin se kjo punë merr shumë nga ne, besoj më shumë se ç’mund të marrë çdo punë tjetër…

3.Përse zgjodhët të vazhdoni Akademinë e Rendit?

Mund të them që ishin disa faktorë. Si natyrë më udhëheqin parimet si: Drejtësia, Barazia, Humanizmi. Kam zgjedhur këtë profesion me bindjen që këto virtyte do gjejnë hapësirë më shumë të demostrohen këtu. Kam studiuar Punë Sociale, specializuar për “Fëmijët dhe Familjen´´ profesion të cilin e dua shumë por që nuk më është dhënë mundësia pas studimeve që të punoja. Mendova që mund të gjeja hapësira si punonjëse policie që të ndihmoja target grupet në nevojë. Gjithashtu dhe nevoja për pavarësi ekonomike nuk përjashtohet, të jemi realist.

  1. A keni pasur ndonjëherë pengesa nga familja ose partneri për të vazhduar akademinë?

Mamaja ime sapo e dëgjoi që unë do të konkuroja më tha: – “Mos shko! Ajo është punë për burra”. Kuptohet që nuk e priti aspak mirë. Në atë periudhë pak kisha që isha njohur me bashkëshortin tim. Ai më tha që nuk duhej të shkoja. Më kërkoi te zgjidhja ndërmjet tij dhe shkollës. Unë i thashë që do vazhdoj shkollën.  Madje u shkëputëm për pak kohë për këtë arsye, vetëm për pak ama.

  1. Cilat janë vështirësitë me të mëdha me të cilat haseni?

Vështirësitë janë nga më të ndryshmet. Nga momenti që del nga shtëpia çdo minutë është një “surprizë” për ty, nuk e di ç’të pret atje jashtë: dikush sapo ka humbur një familjar, dikush ka nevojë për ndihmë mjeksore, dikujt i kanë vjedhur diçka shumë të shtrenjtë, dikush kërkon ndihmë për një person me probleme mendore, diku mund të ketë rëne zjarr … ne duhet të jemi te parët aty, të veprojmë dhe të kërkojmë koordinimin e shërbimeve për zgjidhje. Pavarësisht se duhet të kryejmë proçedurat unë jam empatike dhe përjetoj çdo problem që përballem.

Turnet janë tjetër vështirësi, nga një natë pa gjumë e turnit të tretë një pjesë e ditës do të ikë duke fjetur. Turni i tretë ndikon si nga ana shëndetësore edhe familjare. Janë orët suplementare (shtesë), gadishmëritë, festat që ne nuk i kalojmë dot si të tilla. Këto ndikojnë në jetën tonë të përditshme duke na e bërë jetën më ndryshe nga të tjerët, më të vështirë se të tjerët.

Tek vështirësitë hyjnë dhe transferimet. Unë jam oficere e patrullës së përgjithshme me gradë inspektore. Jam emëruar pas shkollës në Korçë dhe kam punuar atje një vit e gjysmë; më pas jam transferuar në Elbasan. Gjatë lejes së lindjes jam transferuar për pak kohë në Cerrik dhe më pas jam kthyer në Elbasan përsëri; deri tani kam qëndruar këtu.

  1. Si ka qënë shtatëzania për një inspektore në detyrë?

E vështirë, shumë e vështirë. Pavarësisht problemeve që ka shtatzania unë nuk kam patur asnjë lehtësim, as në numrin e orëve të punës, as në turne dhe asnjë lehtesim tjetër. Jam trajtuar si një efektiv mashkull deri në muajin e 8-të të shtatzanisë edhe pse pata komunikuar për gjendjen time.

Është për të ardhur çudi!

Uroj që rasti im mos të përsëritet me asnjë femër tjetër, është e padrejtë…

  1. Si i tejkaloni pengesat dhe sfidat më të cilat përballeni në lidhje me mirërritjen e fëmijës, çështjet familjare etj?

Është e lodhshme për mua. Rreth 3 orë pasi vij unë pas turnit të tretë djali zgjohet. Ai nuk e di unë nuk kam qënë aty gjatë natës. Ai do shërbimet e tij dhe nuk mund ta lësh asnjë moment jashtë vëmëndjes në këtë moshë. Pastaj mua do të më duhet të bëhem përsëri gati për në punë. Mund të imagjinoni sa fjeta në 24 orë e sa u çlodha. Këto kalojnë…. Kur shoh tim bir mirë, çlodhem. Për këto vështirësi mundohemi të alternohemi me bashkëshortin, kush është në shtëpi do përkujdeset për djalin në çdo aspekt.

  1. A ju ndihmon bashkëshorti në shtëpi dhe në mirërritjen e fëmijës?

Duke bërë krahasimet me mentalitetin e vendit dhe rolin që burri shqiptar ka në familje, bashkëshorti im ka bërë përpjekje të konsiderueshme për tu përkushtuar ndaj djalit dhe detyrimeve në shtëpi. Për përpjekjen e vlerësoj dhe e dua më shumë. Dhe pse ai e di që duhet edhe më shumë përkushtim. Djali e e do shumë dhe kuptohet që im shoq ka punuar për këtë.

  1. Ḉfarë mesazhi frymëzues do të donit të ndanit me vajzat dhe gratë e tjera?

Të nderuara vajza dhe gra nëse na duhet të arrijmë një qëllim, e theksoj ama; vetëm me ndershmëri, ne jemi më të forta nga sa mendojmë, madje më të forta se burrat nëse i kemi synimet e qarta!

Nëse keni dëshira që nuk i bëjnë keq të tjerëve atëherë bëjini realitet me përkushtimin tuaj!

Injoroni dhe largoni ata që duan tju bëjnë keq!

Duajeni dhe respektoni veten!

Paçi fat!😊

Contact US

[contact-form-7 404 "Not Found"]